Të tjera detaje zbulohen në lidhje me arrestimin e Safet Bajrit këtë të premte.

Burime pranë SPAK i kanë komunikuar gazetares së Top Channel Anila Hoxha se Bajri është arrestuar me urdhër të GJKKO dhe se ndaj tij ka masë arresti. Dyshohet se Safet Bajri bashkëpunoi me Asmer Bilalin për të vrarë Fatbardh Licin, ngjarje e ndodhur në 2018, dhe masa është për këtë ngjarje.

Kujtojmë që 3 ditë më parë, 18 Shkurt, në banesën e Safet Bajrit u kryen kontrolle nga forcat RENEA.

Pas aksionit të RENEA, ai reagoi ekskluzivisht për “Top Story” në Top Channel, duke u shprehur se sa herë që policia shkon në banesën e tij i jep USB e kamerave. Safet Bajri deklaroi se nuk ka lidhje me asgjë, duke përmendur masakrën e Dobraçit. Ai theksoi se Asmer Bilalin e ka shok, duke theksuar se “kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia”.

“Kur vjen policia, i jap USB e kamerave, nuk kam lidhje me asgjë, dhe sulmohet Safeti. Për çfarë? Ka ardh RENEA te banesa ime… në lidhje me masakrën e Dobraçit unë ua kam dhënë kamerat. Unë me atë familje nuk kam pasur kurrë asnjë problem. Asnjëherë në jetë nuk kemi pasur probleme me familjen Lici. Njerëzit kanë shoqëri të ndryshme, kur ta votojë parlamenti dhe të më caktojnë mua se kë të kem shok atëherë unë nuk rri se po shkel ligjin. Konflikti me familjen Lici nuk ekziston, njerëzit mund të kenë inat pse unë kam shok x apo y… Unë Asmer Bilalin e kam shok dhe nuk e mohoj. Kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia”, tha Safet Bajri për Top Story.