Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion kundër organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet, duke zbuluar dy ambiente ku dyshohet se zhvilloheshin baste sportive dhe lojëra fati në mënyrë të kundërligjshme.

Gjatë operacionit të koduar “Multigames”, u arrestuan në flagrancë tre persona, ndërsa policia sekuestroi disa pajisje elektronike dhe materiale që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet.

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Multigames”.

Zbulohen 2 lokale ku organizoheshin ilegalisht, lojëra fati, me kompjuterë dhe me celularë.

Arrestohen 3 shtetas (administrator dhe punonjës në këto subjekte).

Sekuestrohen nga të dyja subjektet, 6 njësi kompjuterike dhe monitorë, 4 celularë dhe bileta me baste sportive.

Në vijim të kontrolleve të bazuara te puna operative, me objektiv evidentimin e subjekteve të vëna në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Multigames”.

Gjatë operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit B. K, 20 vjeç, S. M., 24 vjeç dhe E. B., 18 vjeç, pasi:
-në rrugën “Muhamet Deliu”, në lokalin që administronte 24-vjeçari dhe ishte punonjës shtetasin B. K., dyshohet se viheshin baste sportive, me celularë;
-në rrugën “Mysym Keta” , në lokalin ku ishte i punësuar shtetasi E. B., u gjetën 2 kompjuterë që dyshohet se përdoreshin për lojëra fati.

Kontrollet kundër kësaj veprimtarie të kundërligjshme, vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.