Politika ka nisur diskutimet për ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, me fokus vendosjen e rregullave më të qarta për përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatave elektorale.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, kërkoi që kodi i ri të garantojë një ndarje të qartë mes shtetit dhe partisë në pushtet, duke e konsideruar këtë si një standard të administrimit zgjedhor.
“Duhet të parashikohet shprehimisht parimi i ndarjes ndërmjet shtetit dhe partisë në pushtet, si një standard i administrimit zgjedhor dhe jo si një parim politik. Ligji duhet të jetë i qartë, kompetencat mbikëqyrëse efektive dhe përgjegjësia reale dhe proporcionale”, deklaroi Celibashi.
Nga ana e mazhorancës, Damian Gjiknuri theksoi se sfida kryesore është gjetja e një ekuilibri mes funksionimit të qeverisjes dhe shmangies së avantazheve të padrejta gjatë zgjedhjeve.
“Duhet të arrijmë një balancë të drejtë mes nevojës për të qeverisur dhe moskrijimit të avantazheve të padrejta. Brenda këtij viti duhet të vijmë me një paketë ligjore”, tha Gjiknuri.
Ndërkohë, opozita kërkoi masa më të forta ndaj përdorimit të administratës dhe burimeve publike për qëllime elektorale. Përfaqësuesi i saj, Oerd Bylykbashi, kritikoi faktin se pavarësisht ekzistencës së rregullave dhe mekanizmave mbikëqyrës, numri i sanksioneve nuk përputhet me numrin e ankesave.
“Nuk mund të vazhdojmë ta bëjmë kornizën gjithnjë e më të rëndë, ndërkohë që nga ana tjetër asgjë nuk zbatohet”, u shpreh Bylykbashi.
Në tryezën për parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore morën pjesë edhe përfaqësues të OSBE-së dhe Bashkimit Europian, të cilët bënë thirrje për dialog mes palëve politike dhe ndryshime ligjore që do të garantonin një garë më të barabartë në proceset zgjedhore.
