Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me operacionin që po zhvillojnë forcat RENEA në Shkodër.
Mësohet se me urdhër të SPAK, janë ushtruar kontrolle mbrëmjen e së mërkurës deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, me në fokus banesat e personave me precedent penal. Kontrollohet po bëhen në Shkodër me qëllim mbledhjen e provave për zbardhjen e masakrës së Dobraçit, ngjarje e ndodhur më 30 tetor, ku mbetën të vrarë 4 persona.
Raportohet se deri në këtë fazë nuk ka të arrestuar, por janë gjetur materiale të tjera që janë sekuestruar, përfshirë dhe armë që do të ekspertohen nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.
Aksioni ka nisur rreth orës 02:00 të mëngjesit. Gjatë operacionit janë sekuestruar armë dhe 5 mjete te blinduara. Kontrollet u ndërmorën në lagjen Dobraç, Kiras, Rrus, dhe Dergut që janë lagje të Shkodrës dhe në fshatrat Shtoj i ri dhe Shtoj i vjetët, teksa raportohet për disa persona të shoqëruar deri më tani.
Masakra e Dobraçit ndodhi më 30 tetor, kur humbën jetën Hamza Lici e Arlind Bushati, dhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha. Kjo ngjarje mbetet ende pa autor zyrtar përgjegjës për porositjen apo kryerjen e saj. Ndërkohë, disa persona janë shpallur në kërkim policor, por mbeten të rezervuara informacionet mbi dyshimet që ka organi i akuzës për rolin e tyre.