Vlorë
I arrestuari për vrasjen e Amarildo Delajt, dyshohet edhe për atentatin te Pusi i Mezinit
Gjurmët e gishtave të Bledar Jambellit dolën në makinën që u përdor në atentatin e vitit 2006
Vrasja e Amarildo Delajt në shtator të vitit 2012 dhe të fortit të Vlorës, Shpëtim Muka, i cili u vra në vitin 2006 te Pusi i Mezinit dyshohet se kanë lidhje mes tyre dhe kanë ndodhur si pasojë e konflikteve në Spanjë me Sokol Ramën. Ky është dyshimi i ngritur nga Prokuroria e Vlorës, e cila ka ngritur akuzën se këto dy atentate janë realizuar nga i njëjti person, 32-vjeçari Bledar Jambelli, i cili u prangos rreth një muaj më parë nga Policia e Vlorës dhe dyshohet se është paguar për të kryer këto vrasje nga rivalët e viktimave. Megjithatë, nga Policia e Vlorës deklarohet se për vrasjen e vitit 2006, Jambellit i kanë dalë gjurmët e gishtave në makinën e krimit, ndërsa për vrasjen e vitit 2012, ende nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar implikimin e tij.
Vrasjet dhe i dyshuari
Dy ditë më parë, Gjykata e Vlorës ka njohur me masën “arrest me burg” Bledar Jambellin, i njohur edhe si Rikard Muho, 32 vjeç, lindur dhe banues në Mbrostar të Fierit, si i dyshuar për vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervis Shehut (shok i Mukës), dhe plagosjen e Edvin Zanajt, (nipi i Mukës), ngjarje e ndodhur më 30 nëntor 2006. Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Vlorës kishte pezulluar procedimin penal për moszbulim të autorëve. Si rezultat i punës hetimore të kryer nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Policinë e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë, është bërë i mundur sigurimi i provave shkencore dhe është kërkuar rifillimi i hetimeve për këtë ngjarje, me autor të dyshuar, Bledar Jambellin. Për rrjedhojë, Prokuroria e Vlorës, pasi ka vendosur rifillimin e hetimeve, në bazë të provave të grumbulluara deri më tani, ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj të dyshuarit, e cila është pranuar nga gjykata dhe dje është bërë ekzekutimi i saj. Bledar Jambelli prej një muaji ndodhet i arrestuar, pasi ndaj tij, Gjykata e Vlorës ka caktuar “arrest në burg”, si autor të dyshuar për vrasjen e Amarildo Delajt, ngjarje e ndodhur më 4 shtator 2012, në lagjen “Osman Haxhiu”.
Hetimet paraprake
Nga puna e kryer prej grupit hetimor, paraprakisht dyshohet se dy vrasjet kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe kanë ndodhur për larje hesapesh, si pasojë e konflikteve në Spanjë. Të dyja viktimat mësohet se kanë qenë personazhe të njohura për policinë vlonjate, ndërkohë që ende nuk është gjetur ndonjë lidhje e Bledar Jambellit me ta, veç faktit të gjurmëve të tij në makinën, prej të cilës u vra Shpëtim Muka. Në këto kushte, prokuroria ngre dyshimet se ai i ka kryer këto dy vrasje, gjatë të cilave janë shënuar edhe viktima të tjera, kundrejt pagesës, pavarësisht se ai nuk ka pranuar asnjërën prej tyre dhe ka ngritur alibitë përkatëse se nuk ka lidhje me to.
Historia e konflikteve
Nëse dyshimet e Prokurorisë së Vlorës do të vërtetohen, atëherë do të rihapet një hetim i gjerë për një zinxhir të tërë vrasjesh, që kanë zanafillën në Barcelonë të Spanjës, më pas në Vlorë e Tiranë. Zinxhiri i ekzekutimeve nis vite më parë që prej të njohurës si Masakra e Levanit, më 28 maj 1997, kur dyshohet se Shpëtim Muka ka qenë një nga autorët e ekzekutimit të 21 personave. Vrasja dyshohet se ishte hakmarrje e Shpëtim Mukës ndaj vrasjes së tre vëllezërve të tij Kastriot, Sokol dhe Petrit Muka, të cilët po në 1997 u gjetën të vdekur në afërsi të qytetit, madje trupat e tyre ishin të copëtuar, pasi ishin hedhur në erë. Po kështu, vëllezërit Muka njiheshin si kundërshtarë të bandës së Zani Çaushit. Po në atë kohë vritet edhe i nipi i Mukës, Bledi Zanaj, i cili u qëllua nga banda e Gërdhuqëve, një bandë e njohur në qytetin e Vlorës. Vite më pas, më 27 shtator 2006, në Barcelonë të Spanjës mbeti i vrarë Slejdi Zanaj, nipi i Shpëtim Mukës. Për vrasjen u akuzua Sokol Rama. Slejdi njihej me nofkën Topallja, pasi kohë më parë, kishte pësuar një aksident dhe për pasojë kishte probleme në këmbë. Në vitin 2006 thuhej se vrasja pati si motiv luftën mes bandave shqiptare për rivalitetin e prostitucionit dhe drogës. Policia spanjolle arrestoi Sokol Ramën, por më pas u lirua për mungesë provash. Më 11 nëntor 2006, Armando Zanaj, vëllai i Slejdi Zanajt vrau Leonora Ramën, nënën e Sokol Ramës, oficere e marinës. Leonora u vra në afërsi të godinës së Bashkisë së Vlorës. Armando Zanaj, atëherë 16 vjeç, u arrestua dhe në polici pati deklaruar se kishte kryer krimin për të marrë hakun e vëllait të vrarë në Spanjë. Më 29 nëntor 2006 ekzekutohet pranë shtëpisë Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Edvin Zanaj, vëllai i ekzekutorit të Leonora Ramës. Për këtë vrasje, Sokol Rama u akuzua si urdhëruesi i tij në shenjë hakmarrje ndaj së ëmës. Policia, brenda pak orësh, gjeti të braktisur makinën e autorëve, ku ishin edhe gjurmët e të arrestuarit Jambelli, por që deri kohët e fundit, nuk ishte vërtetuar implikimi i tij në krim. Më 1 nëntor 2007, në Tiranë, pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, vritet Edvin Zanaj, djaloshi i cili i shpëtoi atentatit një vit më parë. Burimet nga grupi hetimor në Prokurorinë e Tiranës, në atë kohë thanë se dyshonin se vrasja ishte porositur nga burgu i Spanjës, ku ndodhej i arrestuar Sokol Rama. Ky i fundit ishte arrestuar në mars të 2007-s në Madrid. Nga informacionet operative u tha në atë kohë se Sokol Rama kishte vënë në dispozicion 10 mijë euro dhe personi i paguar kishte kryer shërbimin, duke ekzekutuar me plumb në kokë 23-vjeçarin vlonjat, i cili prej disa muajsh fshihej në Tiranë. Për këtë zinxhir vrasjesh në pranga është vënë vetëm Armando Zanaj. Ndërkaq, i arrestuari Bledar Jambelli nuk rezulton të ketë ndonjë lidhje farefisnore me Leonora Ramën. Për këtë arsye, Policia e Vlorës dyshon se 32-vjeçari Jambelli mund të jetë vrasës me pagesë, por nuk jepen më shumë detaje duke ia lënë në dorë hetimit. Red. Akt.
