Një bazë e dyshuar për furnizimin e grupeve kriminale me armë zjarri dhe municion luftarak është zbuluar nga Policia në Manzë të Durrësit, gjatë operacionit të koduar “Baza”.
Si rezultat i operacionit, është arrestuar në flagrancë një 20-vjeçar, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestrua një arsenal armësh dhe municioni.
Sipas Policisë, në banesën e shtetasit me inicialet E. P., 20 vjeç, u gjetën dhe u sekuestruan katër pistoleta, një armë automatike model 56 (kallashnikov), një armë gjahu (shotgun), gjashtë krehëra, qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një targë automjeti italiane dhe një aparat celular.
Autoritetet dyshojnë se baza shërbente për furnizimin e grupeve kriminale me armë dhe municion, ndërsa operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Stacioni i Policisë Manzë, në bashkëpunim me strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
