Seanca paraprake ndaj ish-deputetes Monika Kryemadhi është shoqëruar me tone ironike dhe përplasje me përfaqësuesit e SPAK.
Në hyrje të gjykatës dhe më pas gjatë seancës, Kryemadhi kundërshtoi akuzat dhe ekspertizën financiare të prokurorisë së posaçme për të ardhurat e saj dhe të ish-bashkëshortit. Me ironi ajo deklaroi: “Kur ju pretendoni që babai im ka falsifikuar dokumentet e banesës unë dilja në protestë për të liruar Fatos Nanon dhe më pas dashuroja Ilir Metën”.
Ish-deputetja kërkoi riekspertim financiar, duke hedhur poshtë analizën aktuale të prokurorisë. Gjithashtu, ajo kërkoi rikthimin e telefonit të sekuestruar, duke argumentuar se veprimi ishte bërë në kundërshtim me procedurën, pasi në atë periudhë mbante mandatin e deputetes. Gjykata pranoi kërkesën për kthimin e telefonit.
Sa i përket kërkesave kryesore për rikthimin e çështjes për hetime të mëtejshme – përfshirë marrjen në pyetje të Ardian Shatkut dhe përfaqësuesve të GSI – trupa gjykuese njoftoi se do të shprehet me vendim më 5 mars.
Në fjalën e saj, Kryemadhi kërkoi gjithashtu që “të hapen mesazhet dhe komunikimet me Edi Ramën për ligjin e minierave”.
Nga ana tjetër, edhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili ka bërë më herët parashtrimet e tij, ka deklaruar se çështja ndaj tij është e motivuar politikisht. “Unë jam këtu për shkaqe politike, për më tepër që nuk ekziston asnjë dokument i firmosur”, është shprehur Meta. Avokati i tij, Cakrani, ka theksuar se “nuk ka asnjë fakt në dosjen penale”.
Gjatë seancës janë dëgjuar edhe parashtrimet e Pirro Xhixhos, Ema Çokut dhe Fatime Kryemadhit. Më herët, SPAK ka kërkuar kalimin për gjykim për akuzat që lidhen me korrupsion dhe pastrim parash.
