Shtatë persona kanë rënë në prangat e policisë për shitje të lëndëve narkotike, pasi u zbulua baza ku ata ushtronin aktivitetin e tyre të paligjshëm.

Në pranga kanë rënë: Ramazan Meaj, Lulë Martini, Arsilda Zymeri, Lula Koceku, Pashke Koçeku dhe Zamira Koceku dhe një 16-vjeçare. Në banesën e Ramazan Meaj, organizatori i veprimtarisë kriminale, janë gjetur dhe sekuestruar 12 kilogramë e 670 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në fazë përpunimi, municion luftarak, 4.5 kg material i dyshuar lëndë shpërthyese artizanale, 1 automjet, 4 motomjete të dyshuara të trafikuara, pa targa dhe numër shasie, 7 celularë dhe 700 euro.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të planit të masave për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, të seksioneve të Forcës Operacionale dhe “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të veprimtarive kriminale në këtë fushë.

Si rezultat, u finalizua operacioni policor i koduar “Ndërmollasi”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: 

-R. M., 35 vjeç, L. M., 51 vjeçe, A. Z., 22 vjeçe, L. K., 46 vjeçe, P. K., 43 vjeçe, Z. K., 18 vjeçe, dhe një 16-vjeçare, të gjithë banues në Shkodër. 

Gjatë operacionit, është kryer kontroll në banesën e shtetasit R. M. (organizatori i veprimtarisë kriminale) dhe në ambientet përreth, ku janë gjetur dhe sekuestruar: 12 kilogramë e 670 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në fazë përpunimi, municion luftarak, 4.5 kg material i dyshuar lëndë shpërthyese artizanale, 1 automjet, 4 motomjete të dyshuara të trafikuara, pa targa dhe numër shasie, 7 celularë dhe 700 euro.

Punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.