Sot i jepet lamtumira e fundit efektivit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë një operacioni policor për arrestimin e një personi të shpallur në kërkim.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në zonën e Lozhanit, në Maliq, ku forcat e policisë ndërhynë për kapjen e Violand Braçellarit. Sipas të dhënave paraprake, i kërkuari refuzoi të vetëdorëzohej dhe reagoi me armë ndaj efektivëve, duke qëlluar mbi ta. Si pasojë, 34-vjeçari Mekolli mbeti i vrarë, ndërsa një tjetër punonjës policie, Edison Adri, u plagos rëndë.
Pas ngjarjes kanë dalë në dritë edhe të dhëna që lidhen me pronën ku qëndronte Braçellari. Bëhet fjalë për një stan në zonën e Lozhanit, i cili sipas dokumenteve rezulton të ketë qenë përfitues i mbështetjes financiare nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Dokumentacioni zyrtar tregon se në vitet 2024 dhe 2026 janë akorduar fonde për investime në sektorin blegtoral, përfshirë ndërtimin dhe përmirësimin e ambienteve për mbajtjen e bagëtive. Përfitues të këtyre skemave rezultojnë familjarë të Braçellarit, konkretisht prindërit dhe vëllai i tij.
Rasti ka ngjallur interes publik, ndërsa pritet që institucionet përkatëse të sqarojnë të gjitha detajet që lidhen me përfitimin dhe përdorimin e këtyre fondeve.
