Pritet të jetë seanca plenare e 11 Dhjetorit ajo e cila do të mund ti japë fund ping-pongut mes socialistëve dhe demokratëve, në një tentativë për të zgjedhur avokatin e ri të popullit.
Një burim nga grupi parlamentar i PS tregoi për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu strategjinë e cila do të ndiqet në një kohë kur PD u tërhoq nga firmat e hedhura për 7 shtatë kandidatët.
“Do t’i përcjellim seancës plenare të gjitha kandidaturat që kanë mbledhur deri me 2 Dhjetor 28 firma” deklaroi ky burim duke shtuar se “Komisioni i Ligjeve në shkresën që do ti dërgohet seancës plenare do të ketë shënimin se deputetët e PD-s janë tërhequr nga firmat”.
Propozimi final nga ky komision do të hartohet në mbledhjes e të Martës 9 Dhjetor ora 11:00.
Në të tilla kushte ky do të jetë një test parlamentar i cili do të provojë vullnetin e palëve për ta zgjidhur ngërçin ku është futur ky proces.
Megjithëse PD u duk se bëri një lëvizje për tu tërhequr nga ky proces, nga brenda Selisë Blu jo zyrtarisht flitet për një preferencë të re të demokratëve për ta çuar në zyrën e avokatit të popullit.
Nëse në të shkuarën doktor Berisha e ka shprehur haptas pëlqimin dhe mbështetjen për Besim Ndregjonin, ky pëlqim duket se është zbehur.
Po ashtu mbetet jashtë preferencave të grupit parlamentar të PD-s avokatja Ardiana Kalaja paçka se ia kanë dhënë firmat e duhura.
Në pol pozicion të demokratëve si pëlqim i parë, ka dalë zonja Jola Hysaj e cila në PD mban postin e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun për të cilën ka hedhur firmën mbështetëse edhe vetë Sali Berisha.
Por a do ta dërgojë Komisioni i Ligjeve, emrin e saj në seancën plenare të 11 Dhjetorit?
Kjo pyetje shtrohet pasi po të shikojmë dokumentin me firmat e dorëzuara nga Jola Hysaj, janë 27 dhe jo 28 sa kërkon ligji.
Firma e 18 në këtë dokument është e Agron Gjekmarkajt, e më pas duhet të vinte firma e 19-të.
Siç shikohet mungon firma e 19të mungon dhe vijohet me firmën e 20-të të deputetit Kliti Hotit.
Një matematikë e thjesht e këtij dokumenti tregon se Jola Hysaj ka depozituar vetëm 27 firma.
