Ministria e Shëndetësisë ka marrë një vendim, duke siguruar për herë të parë qasje të personave transgjinorë në terapi hormonale brenda shërbimit publik shëndetësor.
Trajtimi do të ofrohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe do të mbulohet nga fondet shtetërore. Tashmë, të gjithë ata që duan të përshtatin trupin me identitetin e tyre gjinor, kanë të drejtë të marrin këtë trajtim në QSUT.
Sipas protokollit, ky trajtim është i parashikuar si për të rriturit, ashtu edhe për adoleshentët mbi 16 vjeç, pas vlerësimit të mjekëve dhe miratimit të familjes. Në raste të veçanta, dhe vetëm pas vlerësimeve të specializuara, terapia mund të nisë edhe nga mosha 14 vjeç.
Kjo shënon herën e parë në Shqipëri që ofrohet një shërbim i tillë, pasi mungesa e kuadrit ligjor dhe e shërbimeve të specializuara ka bërë që deri tani shumë persona transgjinorë të jenë detyruar të kërkojnë terapi hormonale jashtë vendit ose ta marrin në mënyrë joformale në farmaci. Kjo situatë ka rritur ndjeshëm kostot dhe rrezikun shëndetësor për shkak të mungesës së monitorimit nga specialistët.
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë, i miratuar më 28 prill dhe i firmosur nga zv.ministrja Eugena Tomini, synon të zgjidhë këtë boshllëk, duke mundësuar trajtim të kontrolluar dhe të mbikëqyrur për personat që duan të përshtatin trupin me identitetin e tyre gjinor.
Sipas vendimit, shërbimi do të jetë i aksesueshëm për burrat transgjinorë që kalojnë nga femër në mashkull përmes testosteronit, si dhe për gratë transgjinore që kalojnë nga mashkull në femër përmes estrogjenit dhe antiandrogjenëve

