Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë mandatet e dala nga zgjedhjet e 11 majit në tre qarqe të vendit, respektivisht Fier, Elbasan dhe Durrës.

Në qarkun Fier, në radhët e Partisë Socialiste, pavarësisht se Zegjine Çaushi nuk ishte në listë fituese, KQZ i dha mandatin, pasi kandidatja e renditur sipër saj, Maldrita Bardho, kishte dorëzuar dorëheqjen nga marrja e mandatit.

Ndërkohë, në qarkun e Durrësit, KQZ hodhi poshtë kërkesën e kandidates së Partisë Demokratike, Andia Ulliri, e cila pretendonte të hynte në Kuvend si gruaja më e votuar në listën e hapur të këtij qarku. Ajo kërkonte t’i njihej mandati në vend të ish-prokurorit Arjan Ndoja, për shkak se duhej të respektohej kuota gjinore.

Komisioni vendosi t’i japë të vetmin mandat që Partia Demokratike siguroi në listën e hapur në Durrës, pikërisht Arjan Ndojës, duke e konsideruar të pavlefshëm pretendimin e Ullirit për shkak të renditjes në listën e hapur. Kujtojmë se ish-prokurori Ndoja ka qenë shënjestër e disa atentateve, e po ashtu është sulmuar publikisht nga kryeministri Edi Rama dhe ish-zv. kryeministri Erion Braçe për lidhje mek rimin.