Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka uruar kryeministrin shqiptar Edi Rama për fitimin e mandatit të katërt qeverisës, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social “X”.

“Urime Edi Rama për rizgjedhjen si Kryeministër i Shqipërisë. Mezi pres të vazhdojmë dialogun tonë të shkëlqyer dhe të punojmë së bashku për të arritur paqe dhe siguri të qëndrueshme për gjithë Evropën,” shkroi Zelensky në postimin e tij.

Kreu i shtetit ukrainas i uroi gjithashtu Ramës suksese në realizimin e planeve ambicioze për Shqipërinë, si dhe në rrugëtimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Urimi i Zelenskyt vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Ukrainës janë forcuar, veçanërisht pas mbështetjes së vazhdueshme të Tiranës ndaj Kievit në kuadër të agresionit rus dhe aspiratave euroatlantike të Ukrainës.