Beteja e familjes së Saimir Sulës për gjetjen e zemrës së shqiptarit që ndërroi jetë në Spanjë, duket se nuk ka përfunduar akoma, edhe pse u raportua se organi i humbur u gjet.

Motra e të riut që humbi jetën në Barcelonë gjatë vitit 2020, kur shkoi në spital për t’u kuruar nga Covid-19, ka dalë sot në një protestë, teksa ngriti akuza se zemra që erdhi nga Spanja, nuk i përket të vëllait.

Ajo ka bërë thirrje për verifikimin e ADN-së së organit në laboratorin e mjekësisë ligjore. Sipas saj familja ka denoncuar dyshimin se zemra e sjellë nga Spanja nuk i përket të vëllait, pasi pakoja me zemrën që pretendohet se është e tij nuk vjen me një provë gjenetike.

“Nuk e kuptoj pse Saimiri është në varr pa zemër dhe zemra e tij është në laboratorin e mjekësisë ligjore, gjithmonë nëse është e tij. Familja ka denoncuar dyshimin se zemra nuk është e tij, sepse pakoja me zemrën që pretendohet se është e tij nuk vjen me një provë gjenetike që dëshmon se organi i përket Saimir Sulës. Zoti Ulsi Manja ju kujtoj se në letër porosinë e dytë që u nis në Spanjë kërkuam që zemra të sillej në Shqipëri dhe të bëhej testi i ADN-së për të parë nëse zemra i përkiste Saimirit”, u shpreh ajo.

Saimir Sula shkoi në spital për t’u kuruar pasi ishte infektuar me Covid-19, pro ndërroi jetë, teksa kur familjes iu dorëzua trupi, rezultoi se ai nuk kishte zemër. Disa muaj më parë, nga Spanja u raportua se organi ishte gjetur dhe u soll në Shqipëri, ku ende ndodhet në laboratorin e mjekësisë ligjore.