Pas pesë vitesh pritjeje, autoritetet shqiptare kanë dërguar në një laborator privat në Belgjikë organin e zemrës që dyshohet se i përket Saimir Sulës, 31-vjeçarit që humbi jetën gjatë pandemisë së COVID-19 në një spital në Barcelonë. Për këtë proces drejt Brukselit kanë udhëtuar prokurorja e çështjes, një përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë dhe motra e të ndjerit, Majlinda Sula, e cila ka këmbëngulur vazhdimisht për zbardhjen e së vërtetës.
Majlinda Sula ka kërkuar që analiza e ADN-së të kryhet në mënyrë të pavarur, duke shprehur mosbesim ndaj institucioneve shqiptare. Sipas saj, vëllai nuk ka vdekur për shkaqe natyrore, por si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij në spital.
“Kam të drejtën të di nëse kjo zemër është e vëllait tim apo jo,” deklaroi ajo për mediat.
Saimir Sula ndërroi jetë më 9 maj 2020 në Spitalin del Mar të Barcelonës. Ai ishte paraqitur me temperaturë dhe u testua për COVID-19, me rezultat negativ. Të nesërmen, kur kishte tentuar të largohej nga spitali, pati një krizë ankthi. Mjekët e lidhën gjendjen me skizofreninë e diagnostikuar më herët dhe i administruan antipsikotikë, por situata nuk u përmirësua. Pak më vonë, i riu pësoi arrest respirator dhe ndërroi jetë.
Familja nisi një betejë disa vjeçare për të sqaruar shkaqet e vdekjes. Kur trupi i Saimirit u riatdhesua në Shqipëri, familjarët zbuluan se i mungonte zemra. Vetëm më 27 maj 2021 iu dorëzua një raport histopatologjik, por datat dhe të dhënat e tij nuk përputheshin. Kjo shtoi edhe më shumë dyshimet e familjes, e cila vazhdon kërkimin për të zbuluar të vërtetën.