Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku një 15-vjeçar është plagosur rëndë me thikë gjatë një sherri mes gjimnazistësh.
I mituri ka mbërritur në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit në gjendje kritike, me plagë të shumta penetruese pranë zemrës dhe në stomak.
Plagët e tij, përfshirë dy çarje të zemrës dhe një çarje 3 cm në stomak, e kanë lënë në gjendje shumë të rrezikshme për jetën.
Pas mbërritjes në spital, ekipi kirurgjikal i drejtuar nga kirurgët F. Shini dhe E. Demiraj realizoi një ndërhyrje të vështirë, duke menaxhuar dëmtimet jetike dhe duke rikthyer stabilitetin e pacientit.
Pas një reagimi të shpejtë dhe të saktë, pacienti aktualisht po trajtohet në Reanimacion dhe është jashtë rrezikut për jetën.
“Një 15-vjeçar mbërriti në urgjencë në gjendje tejet kritike, me plagë të shumta penetruese dhe organe të dëmtuara nga mjeti prerës. Zemra kishte dy çarje nga 2 cm me tamponadë kardiake, ndërsa në regjionin e corpus ventrikuli u konstatua një çarje 3 cm në stomak. Gjendje kufi.
U fut menjëherë në sallë dhe ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje të vështirë, ku u menaxhuan dëmtimet jetike dhe u rikthye stabiliteti hemodinamik. Reagim i shpejtë, i pastër, pa humbur asnjë minutë.
Mirënjohje për kirurgët F. Shini dhe E. Demiraj, si dhe për anestezistin A. Banushi, që e çuan rastin drejt suksesit me profesionalizëm dhe qetësi operative. Pacienti aktualisht po trajtohet në Reanimacion në gjendje të stabilizuar”, thuhet në njoftimin e spitalit.
