Kryetari i bashkisë Lulzim Basha shpall projektin fitues, zbatimi brenda këtij viti


Projekti i studios arkitekturore “Grimshaw- Arcitecht” është shpallur fitues për zgjatimin e Bulevardit “Zogu I”, nga “Stacioni i Trenit” deri te lumi i Tiranës. Pas dy muajsh konsultimesh, projekti i propozuar nga studioja britanike ka marrë “OK” e bashkisë së Tiranës. Vendimi është bërë publik nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, sipas së cilit projekti mishëron më së shumti aspiratat e qytetarëve të Tiranës, për cilësi dhe shanse të zhvillimit. “Ky ka qenë një proces aspak i lehtë dhe vendimmarrja është më kompleksja dhe më sfiduese në të cilat unë kam marrë pjesë. Dhe kjo për dy arsye: E para sepse në themel qëndronte dëshira jonë, vizioni ynë për ti dhënë Tiranës më të mirën, një zhvillim të denjë për një kryeqytet të denjë dhe europian. Për të implementuar standartet më të mira të arkitekturës dhe të zhvillimit urban që do të na bëjë të ndihemi krenar për qytetin tonë. E dyta: Vendimi ishte i vështirë sepse jo vetëm që secila prej studiove i përket sërës më të lartë të arkitekturës sot në botë por e realizuan punën që iu kërkua me dashuri dhe përkushtim dhe për këtë ju jemi thellësisht mirënjohës”,- tha Basha, i cili ka sqaruar se projekti do të nisë të zbatohet brenda këtij viti kur të vijë edhe projekti i detajuar.


“Projekti do të nisë brenda këtij viti në përputhje me konsultimet paralele. Ne presim projektin e detajuar teknik për bulevardin e ri të Tiranës ndërkohë që do bëhemi gati për zhvendosjen e shinave të trenit”, tha kryebashkiaku Basha.


Projekti i propozuar nga britanikët që gjerësia e bulevardit të jetë 60 metra. Përgjatë tij do të jetë sheshi ku do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, sheshi komercial me qendra tregtare dhe sheshi i kulturës. Ndërsa makinat do të qarkullojnë në mes të bulevardit.


16 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)