Kryeministri Edi Rama është ndalur edhe te zgjedhja e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit. Në podcastin “Flasim”, ai u shpreh se deputetët e opozitës u treguan qesharakë dhe të lodhur nga mendja dhe shpjegoi se përse erdhi kjo zgjedhje.

“Një tjetër zhvillim i ndodhur këtë javë ka qenë edhe betimi në Kuvendin e Shqipërisë i z.Endrit Shabani si Avokati i ri i Popullit. Opozita iu rikthye vesit që del me shpirtin, rivuri në punë muskulaturën e krahëkëmbëve, rindezi pishtarët e ecjes qorrazi nëpër pyll dhe rifilloi avazin e kërcënimeve për llogari të një dordoleci thuajse 100 vjeçar.

Pra e mbështetën Endri Shabanin, i dhanë firmat e kërkuara nga ligji, e sollën në buqetën e tyre të kandidatëve, ku për hir të së vërtetës, ky zotëria ishte i vetmi me një sy mes ca qorrave të ububushëm dhe sapo panë që ne, që thamë që në krye të herës, nuk do të mbështesim asnjë kandidaturë, por do presim që të mbështesim një nga kandidaturat që do të na sjellë opozita, do ta mbështesnim zotin Shabani, u hodhën përpjetë sikur po bënim avokat të popullit ndonjë kandidatin tonë.

Qesharak deri në fund domethënë, po përveçse qesharakë edhe të lodhur deri në fund nga mendja, që nuk ua nxjerr e nuk ua nxjerr mësimin se me pahir e me budallallëk, mua dhe kësaj shumice popullore që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, jo ata, po askush në këtë vend nuk na imponon dot asgjë. Pahiri dhe budallallëku janë një gjuhë që ne nuk e kuptojmë.

Endri Shabani ka thënë shumë gjëra kundër nesh e kundër meje personalisht sa të duash, por ne e zgjodhëm si kandidat të opozitës, duke respektuar parimin e ndjekur edhe më parë, pavarësisht se këtë herë i kishim edhe mbi 84 votat e nevojshme e po të ishim ata që nuk jemi, por që ata thonë se ne jemi, mund të zgjidhnim kë të donim, por nuk e bëmë. Kurse ata që u bënë pishman, mend për herë tjetër”, u shpreh Rama.