Procesi i votimit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit u zhvillua sot mes tensioneve dhe ndasive të dukshme në radhët e opozitës.
Deputetët e Partisë Demokratike, në përputhje me vendimin politik të grupit, refuzuan të përdornin fletët e votimit, duke hedhur në kuti pankarta proteste, në shenjë mospranimi të procesit që e konsiderojnë të njëanshëm dhe të paligjshëm.
Ndërkohë, Mesila Doda, ndonëse ishte e pranishme në sallë, nuk mori pjesë në votim dhe nuk iu drejtua kutisë, duke zgjedhur një qëndrim pasiv.
Në krahun tjetër, Ana Dajko, deputetja e koalicionit “Shqipëria Bëhet”, mori fletën e votimit dhe mori pjesë në zgjedhje, duke iu larguar vijës së bojkotit të opozitës. Po ashtu, edhe deputeti i “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi, u përfshi në votim.