Pagat, infrastruktura dhe eficenca e KLGJ-së ishin në fokus të mbledhjes së përgjithshme të 353 gjyqtarëve, ku u zhvillua edhe gara për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në këtë mbledhje, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit për dialog lidhur me çështjen e pagave të gjyqtarëve. Sadushi theksoi se konsultimi politik nuk mund të zëvendësojë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Debati për pagat u shoqërua me kritika të forta nga gjyqtarët. Fatmir Ismalaj, gjyqtar i Gjykatës së Apelit, e cilësoi situatën e krijuar gjatë këtij muaji si një cenim të pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

“Agresioni i paprecedent me të cilin u përballëm këtë muaj me bllokimin e pagave edhe më pas me miratimin me urgjencë, me kundërshtim flagrant me Kushtetutën edhe me Gjykatën Kushtetuese të pagave të gjyqtarëve, për ligjin për statusin, përbën goditjen më arrogante të pavarësisë së gjyqësorit dhe vetë rendit kushtetues në Shqipëri”, tha Ismalaj.

Edhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Sandër Simoni, deklaroi se çështja e pagave mbetet ende e hapur dhe se gjyqtarët do të vijojnë veprimet brenda kuadrit ligjor.

“Sfidat me pagat tona vijojnë dhe ne jemi në veprim të përbashkët, të vendosur për të mbrojtur dhe për të garantuar një pagë në kufi kushtetues. Brenda ligjshmërisë duhet të mund të ndërhyjë për të përcaktuar pagën e magjistratit edhe pasojat që lidhen me shfuqizimin e rregullimit të mëparshëm”, u shpreh Simoni.

Përtej pagave, kandidatët për KLGJ ngritën shqetësime edhe për kushtet në të cilat ushtrojnë funksionin gjyqësor, infrastrukturën, ngarkesën e çështjeve dhe funksionimin e vetë Këshillit.

Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Igerta Hysi, kërkoi që KLGJ të ketë një rol më të fortë në garantimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të jetë një personifikim i këtij uniteti, duhet të shërbejë si mburojë e palëkundur e pavarësisë dhe këtë duhet ta bëjë më shumë në të ardhmen”, u shpreh Hysi.

Ndërsa gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Arbena Ahmetaj, u ndal te kushtet infrastrukturore të gjykatave.

“Të kemi kërkesa, gjykata dinjitoze, të sigurta dhe miqësore për palët edhe publikun nuk është luks, por nevojë kombëtare dhe emergjencë për kushtet ku po punojmë”, tha Ahmetaj.

Në diskutim u përfshi edhe përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në sistemin gjyqësor. Brunilda Kadi, gjyqtare e Shkallës së Parë të Tiranës, kërkoi që KLGJ të vendosë rregulla të qarta për përdorimin e saj.

“Duke e përdorur teknologjinë dhe AI e cila në fakt duhet të ndihmojë gjyqtarin dhe administratën por jo ta zëvendësojë gjykimin njerëzor. Ka ardhur koha që këshilli të miratojë rregulla”, tha Kadi.

Një tjetër problem i ngritur ishte shpërndarja e pabarabartë e dosjeve mes gjyqtarëve. Manjola Xhaxho, gjyqtare e Shkallës së Parë të Tiranës, solli në vëmendje diferencat në ngarkesën e punës.

“Nuk është e pranueshme që në gjykata, një gjyqtar në një vend, të ketë 700 çështje në gjykim, në disa të tjerë, 200 300”, u shpreh Xhaxho.

Ndërkohë, Matilda Llangozi e vuri theksin te përgjegjshmëria e sistemit ndaj qytetarëve dhe respektimi i ligjit.

“Një gjyqësor i fortë është një gjyqësor që funksionon në mënyrë të pavarur por edhe me përgjegjshmëri të lartë ndaj ligjit dhe qytetarëve”, u shpreh Llangozi.

Mbledhja shërbeu kështu edhe si një forum ku gjyqtarët evidentuan problematikat që, sipas tyre, kërkojnë ndërhyrje në funksionimin dhe administrimin e sistemit të drejtësisë.