Kryeministri Edi Rama mbërriti paraditen e kësaj të enjteje në selinë e Partisë Socialiste, ku mori një tufë me trëndafila të kuq me rastin e 61-vjetorit të lindjes. Megjithatë, kjo ditëlindje e gjeti kreun e PS-së në angazhime pune, konkretisht në një takim me deputetët e qarkut Tiranë.
Takimi i sotëm vjen si vazhdim i mbledhjes së djeshme me drejtorët e Bashkisë së Tiranës dhe deputeten e zgjedhur më 11 maj. Pjesa më e madhe e deputetëve nuk kishin mundur të merrnin pjesë në takimin e mëparshëm për shkak të seancës parlamentare.
Sipas burimeve nga mbledhja, Rama ka kërkuar angazhim maksimal nga deputetët aktualë për të evidentuar problematikat në çdo njësi administrative të Tiranës. Ai ka paralajmëruar ndarjen e tyre në grupe pune për të zbritur në terren dhe për të krijuar një pasqyrë të qartë të nevojave të qytetarëve.
Në diskutim është përmendur edhe mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, një zhvillim që lidhet drejtpërdrejt me vendimin që pritet nga Gjykata e Lartë lidhur me apelin e bërë nga kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj.
“Nuk i dihet si do të shkojë kjo punë,” është shprehur Rama, duke shtuar më tej pasigurinë rreth të ardhmes politike në kryeqytet.
Në mbledhjen me drejtorët e Bashkisë, Rama kërkoi bashkëpunim të ngushtë mes tyre dhe deputetëve, të cilët pritet të luajnë një rol aktiv në terren, për të përforcuar kontaktin me qytetarët dhe për të mbledhur inputin e nevojshëm për veprime të mëtejshme politike.