Gjashtë bashki të vendit pritet t’i nënshtrohen zgjedhjeve të parakohshme për shkak të zhvillimeve të fundit që lidhen me probleme ligjore, dorëheqje për arsye personale, emërime në poste qeveritare dhe kandidime për deputetë. Bashkitë që do të përfshihen janë: Tirana, Vlora, Berati, Cërriku, Tepelena dhe Mati.

Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama kërkoi nga Këshilli Bashkiak i Tiranës të votojë për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili u arrestua në shkurt të vitit 2025 dhe akuzohet për 13 vepra penale. Rama propozoi Ogerta Manastirliun, aktualisht ministre e Arsimit dhe Sportit, si kandidate të PS-së për Bashkinë e Tiranës.

Në Vlorë, kryebashkiaku Ermal Dredha dha dorëheqjen më 10 shtator, duke e konsideruar atë si një akt reflektimi dhe përgjegjësie përballë sfidave personale dhe politike. Ai theksoi se do të mbetet gjithmonë pjesë e Partisë Socialiste.

Po ashtu, Berati do të zhvillojë zgjedhje të reja pas largimit të Ervin Demos, i cili hoqi dorë nga posti i kryebashkiakut më 23 mars për të kandiduar si deputet i PS-së. Në kabinetin e ri qeveritar, Demo është emëruar Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Cërriku gjithashtu përfshihet në listën e bashkive me zgjedhje të reja, pasi kryebashkiaku Andis Salla u emërua Ministër i Bujqësisë, institucion të cilin Rama e quajti “Ministri për Punët e Fshatit”.

Në mars të këtij viti, dorëheqjen e dha edhe Tërmet Peçi, kryebashkiaku i Tepelenës, i cili tashmë është deputet i zgjedhur i qarkut Gjirokastër.

E njëjta situatë është edhe në Bashkinë Mat, ku Agron Malaj hoqi dorë nga detyra për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare si përfaqësues i qarkut Dibër.