Pas ankimimeve të Ilir Alimehmetit dhe Lisandër Hoxhës, një tjetër kandidate e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj, ka depozituar ankim pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në qarkun e Tiranës.

Hajdarmataj kërkon rinumërim ose rivlerësim të votave, duke argumentuar se gjatë verifikimeve ka konstatuar parregullsi të rëndësishme në mbi 6 KZAZ, me një diferencë prej më shumë se 1000 votash. Sipas saj, këto problematika mund të ndikojnë ndjeshëm në renditjen e kandidatëve në listën e hapur.

Në ankim ajo bazohet në nenet 124 dhe 125 të Kodit Zgjedhor, të cilat i njohin të drejtën për të kërkuar ndryshime në vendimet e KZAZ-së, duke paraqitur prova dhe argumente ligjore.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve më 24 maj 2025, por Hajdarmataj kërkon rivlerësim të procesit për të garantuar transparencë dhe saktësi të rezultatit për qarkun e Tiranës.

“KËRKOJ:
Rinumerimin dhe/ose rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit të Qarkut Tiranë;

Ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse sipas rinumerimit dhe/ose rivlerësimit të votave,” thuhet në kërkesën e saj drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.