Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ka njoftuar se ditën e sotme ka nisur votimi për zgjedhjet e 11 majit nga jashtë vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Celibashi njofton se mëngjesin e ditës së sotme, në orën 07:15, zgjedhësi i parë nga jashtë vendit, me vendbanim në Erlangen, Gjermani dhe votues në qarkun Dibër, ka marrë fletën e votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Ky është një hap i rëndësishëm për përfshirjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit në procesin demokratik të Zgjedhjeve të 11 Majit 2025”, shkruan ai.
Kujtojmë se kjo është hera e parë që diaspora shqiptare ka mundësi të ushtrojë të drejtën e votës nga vendet ku jetojnë për zgjedhjet në Shqipëri.


