Kryesia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka njoftuar se në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të përdoret për herë të parë Inteligjenca Artificiale (AI) në procesin e mbledhjes së të dhënave, numërimit të fletëve të votimit dhe nxjerrjes së rezultateve.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, bëri të ditur se kjo iniciativë do të shërbejë si një test eksperimental dhe do të shoqërohet me një takim me organizatën “International IDEA”, për të diskutuar rreth teknologjisë, digjitalizimit dhe zgjedhjeve.
“Më 9 nëntor do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme për kryetarë bashkie në disa qytete. Stafi i KQZ po punon për të aplikuar përdorimin e AI-së në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit dhe në nxjerrjen e rezultateve. Ky projekt do të shërbejë si test, ndërsa procedura manuale e numërimit mbetet mënyra zyrtare e referimit,” deklaroi Celibashi.