Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka hedhur akuza të forta ndaj procesit zgjedhor për drejtimin e PD-së, ku u rikonfirmua në krye të partisë Sali Berisha.
Salianji e cilësoi procesin si një “parodi” dhe një mekanizëm të kontrolluar nga Berisha për interesa personale, duke deklaruar se pjesëmarrja në votim ishte shumë e ulët.
Sipas tij, zgjedhjet shkelën standardet demokratike dhe vetë statutin e partisë. Ai pretendoi se iu ndalua kandidimi, ndonëse statuti ia lejonte, ndërsa Berisha garoi edhe pse, sipas Salianjit, rregullat e partisë nuk e lejonin.
“Zgjedhjet për kreun e PD u kthyen në një proces të turpshëm dhe parodi. Jo më shumë se 5 mijë anëtarë votuan, duke e braktisur Berishën në farsën për të uzurpuar PD-në”, u shpreh Salianji.
Ai shtoi se pas kritikave të tij ndaj drejtimit të partisë ka nisur një “breshëri sulmesh” për të trembur konkurrentët e tjerë potencialë, duke pretenduar se klima e krijuar në PD ka dekurajuar çdo garë reale për drejtimin e partisë.
