Gjana falënderon mbështetësit. Koni: Akademizmi i përket një tjetër morali. Dibra: Fitova moralisht
Shpresa Mezini
Kur bëhet fjalë për garë, jo të gjithë dalin fitues. Kjo është arsyeja pse rezultati i zgjedhjeve të dy ditëve më parë lumturoi fituesit dhe mërziti kandidatët që nuk arritën të përmbushnin pritshmëritë e tyre. Duket sikur i tillë është edhe rasti i një prej kandidatëve për postin e rektorit në Universitetin e Mjekësisë, ku pavarësisht se tanimë rezultati është certifikuar, Petrit Bare, ka kërkuar zyrtarisht rinumërimin e votave në zgjedhjet e mbajtura në këtë institucion të arsimit të lartë.
Me pretendimin se në procesin e numërimit të votave ka pasur parregullsi, kandidati Bare, i cili mori 36.3% të votave, nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve, që shpalli fituesin Arben Gjatën, prej 6 muajsh rektor i komanduar në Universitetin e Mjekësisë. Është kjo arsyeja pse Bare i është drejtuar zyrtarisht komisionit institucional të zgjedhjeve, të cilit i kërkon rinumërimin e votave për të sqaruar këtë pretendim të tijin. “Këtë e kërkoj për të shmangur gabimet njerëzore që mund të jenë bërë ose edhe në llogaritjen e formulës statistikore nga numërimi i votave të studentëve”, shprehet Bare. Në Universitetin e Mjekësisë, gara u zhvillua mes tre emrave të njohur në fushën e shkencave mjekësore; Arben Gjata, rektor i komanduar prej 6 muajsh, Petrit Bara, dekan për 2 mandate në Fakultetin e Infermierisë dhe Mira Rakacolli, dekane e Fakultetit të Mjekësisë. Por, ndërsa Bare kërkon rinumërimin e votave, rektori i ri i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, nëpërmjet një statusi në rrjetin social, “Facebook” shkruan: “Faleminderit për mbështetjen. Kjo është edhe fitorja juaj”. Bashkëngjitur Gjata rikonfirmon rezultatet e shpallura dy ditë më parë nga komisioni institucional i zgjedhjeve. “Rezultatet përfundimtare për Rektor të Universitetit të Mjekësisë Tiranë (Totali): Arben Gjata = 38.3%; Petrit Bare = 36.3%; Mira Rakacolli = 25.4%”, përfundon rektori i ri i Mjekësisë. Falënderime për pedagogët dhe studentët që e kanë votuar ka shprehur në “Facebook” edhe rektori i ri i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, i cili thotë se gjendet përpara tyre me përgjegjësinë më të madhe ndaj institucionit lider, Universitetit të Tiranës, si dhe ndaj gjithë shoqërisë shqiptare. “Gjendem sot para jush me bindjen, forcën e gatishmërinë për të vendosur në zbatim gjithçka kemi ndarë së bashku përgjatë javëve të fushatës. Këtë përgjegjësi ma besuat ju! Ju shpreh përulësisht falënderimet më të sinqerta për mbështetjen e pakushtëzuar tuajën që kam ndjerë në gjithë këto ditë e që u finalizua dje(pardje) në ditën e votimeve. Ky proces dëshmoi fuqishëm se bota jonë akademike i përket një tjetër morali dhe ka krejtësisht një tjetër dimension! Në mënyrë të patjetërsueshme akademizmi është i pacenueshëm nga çfarëdolloj nisme apo tentative për t’i ndryshuar udhë atij!”, shkruan rektori i ri i UT-së. Koni thekson se nëpërmjet këtij procesi UT vërtetoi edhe një herë tjetër se është një familje e madhe me moral të shkëlqyer ndaj votës. “Ky proces zgjedhor u karakterizua nga fillimi gjerë në fund nga qytetaria dhe pozitiviteti, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës. Kjo është fitorja më e madhe që mund të kërkonim, fitorja e përbashkët që na përket të gjithëve pa dallim”, thotë Koni. Një tjetër status në “Facebook” është shkruar edhe nga kandidatja në farë për postin e rektorit në UT, Klodeta Dibra, e cila pohon se ndonëse nuk e ka fituar këtë betejë, moralisht ka fituar shumë. “Falënderoj kolegët që më besuan votën e tyre. Falënderoj veçanërisht pedagogët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, me të cilët ndava 8 vite si dekane dhe me votën e tyre treguan se nuk i kam zhgënjyer asnjëherë e për asgjë. Falënderoj vëzhguesit, pedagogët dhe studentët e shkëlqyer që me aq përkushtim administruan këtë ditë të lodhshme, duke demonstruar qytetarinë, përkushtimin dhe fisnikërinë e tyre”, shkruan Dibra, kandidatja që humbi në zgjedhjet e mbajtura dy ditë më parë, në UT.