Partia Demokratike ka nisur fushatën për zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike për kreun e ri, të cilat do të mbahen më 23 maj.

Fushata këtë herë ka nisur në heshtje, teksa në garë është vetëm Sali Berisha, drejtuesi aktual i partisë. Në udhëzimin e PD, njoftohet se fushata për ‘zgjedhjet’ e 23 majit ka nisur nga 15 maji dhe do të përfundojë 24 orë para ditës së votimit.

Komisioni i votimit dhe numërimit të votave do të përbëhet nga 3 anëtarë, ku në përbërje janë një nga nënkryetarët e degës ose kryetari dhe dy anëtarë të Kryesisë së degës.

Në dokument shkruhet se të drejtën e votimit e ka çdo anëtar partie që ka emrin në listat e zgjedhësve dhe çdo anëtar tjetër partie i cili edhe pse nuk e ka emrin në listë, është i pajisur me dokumentin origjinal të anëtarësisë së tij në PD. Sipas udhëzimit, anëtarët e Kryesisë dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike do të votojnë në qendrën që do të ngrihet në selinë qëndrore të PD-së.

Procesi i votimit për kreun e ri të PD-së do të nisë në orën 08:00 dhe do të përfundojë në orën 18:00 të datës 23 maj. Parashikohet që procesi i numërimit të votave të nisë jo më vonë se 30 minuta pas mbylljes së procesit të votimit. Rezultati i zgjedhjeve duhet të bëhet publik brenda datës 24 maj./ Top Channel