Në limitet e skadimit të mandatit Komisioni Rregullator i KQZ duhej të mblidhej këtë të shtunë për të miratuar afatet e zgjedhjeve te parakohshme të 9 nëntorit në gjashtë Bashki, përfshirë Tiranën, por mbledhje dështoi.

Gazetarja e Top Channel Elda Menga raporton se shkak u bë mungesa e dy anëtarëve të përzgjedhur nga opozita Muharrem Çakaj dhe Hega Vukaj, të cilët bojkotuan mbledhjen.

Top Channel ka mësuar se mes anëtarëve të këtij organi ka pasur dhe një komunikim përmes e-email përmes së cilit Muharrem Çakaj dhe Helga Vukaj kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes ditën e hënë, për dy arsye; për shkak të situatës ligjore dhe kushtetuese pas dekretit të presidentit si dhe për arsye se duan më shume kohe për të shqyrtuar aktet.

Kryetarja e Komisionit Rregullator Ilirjana Nano, bëri publike dhe përgjigjen ndaj dy kolegëve të saj duke nënvizuar nevojën e ngutshme për të miratuar  projektvendimet  për zgjedhjen e parakohshme. Për shkak se për miratimin e akteve kërkohen katër vota, mbledhja dështoi.

Top Channel