Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në kuadër të fazës së tretë të punimeve për zgjerimin e superstradës Tiranë–Durrës.
Sipas njoftimit, në datat 6 dhe 7 gusht 2026, në intervalin orar 00:00–04:30, do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit.
Për shkak të punimeve, do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Durrës–Tiranë. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të planifikojnë lëvizjet e tyre dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore gjatë zhvillimit të punimeve.
“Në vijim të realizimit të punimeve për ndërtimin e objektit:“Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”, është i nevojshëm zbatimi i Planit të Menaxhimit të Trafikut.
Më datë 6 dhe 7 gusht 2026, nga ora 00:00 deri në 04:30, do të kryhet montimi i trarëve metalik të mbikalimit të ri të Kasharit, për zbatimin e këtyre punimeve, si dhe për sigurinë rrugore është i nevojshëm bllokimi i dy korsive të aksit kryesor në drejtimin Durrës-Tiranë.
Gjatë këtij intervali, trafiku që lëviz nga Durrësi në drejtim të Tiranës, Aeroportit “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohet në rampat e autostradës Thumanë-Kashar.
Mjetet me destinacion Aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar-Thumanë, ndërsa automjetet me destinacion Tiranën do të orientohen me sinjalistikën e përkohshme në rrugën dytësore duke u rikthyer në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit”, njofton ARRSH.
