Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi Kuvendin Kombëtar si një moment të rëndësishëm ripërtëritjeje për forcën politike që drejton, ndërsa u shpreh i inkurajuar nga diskutimet dhe mendimet e shprehura gjatë punimeve.

Duke komentuar procesin e votimit për strukturat e reja të partisë, Berisha theksoi se kandidaturat kanë ardhur kryesisht nga degët dhe garantoi transparencë të plotë në numërimin e votave. Ai u pyet edhe nga gazetarja e Top Channel, Elda Menga, që i vetmi kritik ishte ai i presidentit të CDU-së, i cili i tha demokratëve që zgjidhni një kryetar të ri edhe një president të ri, dhe pas kësaj gazetarja e pyeti nëse i ka bërë përshtypje që nuk ka më kritika brenda partisë, por vetëm jashtë.

“Vullneti është i hedhur, ndaj edhe unë zotohem para demokratëve që me përkushtim të madh do bëjmë gjithçka që të kthejmë në vepra premtimet e këtij kuvendi, në mënyrë që Partia Demokratike të ecë e vendosur dhe të përmbushë misionin e saj. Unë ndoqa me shumë interes diskutimet dhe jam i inkurajuar nga mendimet që u shprehën. Nëse do të lexoni të pashkruarën, atë që kishte atmosfera e sallës, ajo ishte ripërtëritja dhe ndryshimi në Partinë Demokratike.

Një kuvend jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe e vërteta është se në një zhvillim normal, për të mos thënë i përsosur, tani le të presim rezultatin e votimeve që mund të fillojnë nga ora 8 e darkës, kur janë për një vend dy kandidatë; një fiton e një nuk fiton, por në vlerësimin tim ata kanë qenë kandidatët të përshtatshëm, edhe nëse marrin apo jo vota… Çdo njeri që do ketë dyshimin më të vogël do ketë të drejtë të numërojë votat e veta.

Në tërësi, kandidaturat janë nga degët dhe nëse e vutë re, ju është votuar sipas qarqeve. Kandidaturat e tjera që nuk kanë ardhur nga degët nuk janë të panjohura për ju. Në fakt, ka pasur një vonesë nga degët, se këtë herë degët janë burimi kryesor i kandidaturave, kjo ka qenë arsyeja. Janë degët që i kanë vonuar. Nuk janë tamam ashtu nëse i ndoqe, ato ishin ndarë në dy pjesë; njëra pjesë ishte vlerësimi nga kuvendi në kuvend, pjesa e dytë ishte sugjerime dhe në vetvete fshihnin kritika, por brenda Partisë Demokratike kritikat janë një normë konstante brenda Këshillit të Partisë Demokratike”, tha Berisha.