Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër pas rezultatit të zgjedhjeve të pjesshme lokale në 5 bashki të vendit, ku Partia Socialiste doli fituese. Në një postim në Facebook, Salianji e ka cilësuar ditën e djeshme si “një ditë të zezë për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë”.

Salianji ka theksuar se qytetarët kanë humbur besimin se mund të sjellin ndryshime përmes votës në komunitetet e tyre, duke fajësuar korrupsionin e thellë të qeverisë dhe përqendrimin e pushtetit në duar të një individi të vetëm. Ai e konsideron këtë një kërcënim për të ardhmen e vendit dhe për zhvillimin e një demokracie funksionale.

Për më tepër, Salianji ka kritikuar edhe opozitën, duke thënë se ajo ka zgjedhur “rehatinë” dhe “paqen” në vend të përballjes dhe angazhimit të vërtetë. Sipas tij, opozita ka dështuar të bëjë luftën për të drejtat e qytetarëve dhe për të sfiduar regjimin aktual, duke preferuar qetësinë dhe një qasje pasive ndaj sfidave që paraqet politika në Shqipëri.

“Mijëra demokratë sot na gjykojnë me të drejtë. Miliona shqiptarë na gjykojnë jo vetëm për pafuqinë, por edhe për vendimet e gabuara strategjike, që e kanë lënë vendin në duart e një autokrati që luan me jetët e njerëzve si t’i teket. Shqiptarët ndjejnë përditë dhunën, represionin, arrogancën, korrupsionin masiv, prepotencën, gjobat, shembjet dhe burgosjet”, shkruan ish deputeti i PD.

Salianji pranoi me “dhimbje” se prej zgjedhjeve të 11 majit, PD nuk është në rrugën e duhur dhe ka humbur kontaktin me shpresat e qytetarëve.

“Partia Demokratike ka humbur pasionin dhe zemrën për të luftuar, për të bërë betejë, për të lexuar drejt shpresat dhe zhgënjimet e qytetarëve”, shkruan ai në Facebook.