Pas tre ditësh bllokadë të shkaktuar nga protesta e kamionistëve të Maqedonisë së Veriut, nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme nis zhbllokimi i plotë i pikës kufitare të Qafë Thanës, si edhe i të gjitha pikave të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Protesta u organizua nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve në 10 pika kufitare, në kundërshtim me zbatimin e sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen.

Zgjidhja u arrit pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, i cili ka pranuar të lëshojë viza për transportuesit. Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se Brukseli ka pranuar kërkesat dhe do të hartojë një strategji të re për shoferët profesionistë.

Megjithatë, përfaqësuesit e transportuesve theksojnë se regjimi i vizave mbetet i vjetëruar, por shprehen të gatshëm ta pranojnë këtë zgjidhje përkohësisht, në mungesë të alternativave të tjera.