Tiranë


Një 65-vjeçar me banim pranë shkollës ‘Vasil Shanto” në Tiranë rezulton i zhdukur prej 4 ditësh. Familjarët bëjnë me dije se i moshuari, prej 3 vjetësh vuan nga humbja e kujtesës dhe se nuk është në gjendje që të mbajë mend asgjë. Ata kanë apeluar për ndihmë nëpërmjet mediave. Vajza e të zhdukurit, Suela Imeri, thotë se 65-vjeçari për herë të fundit ka kontakuar me bashkëshorten e tij, duke i thënë se do të dalë jashtë për ajër të pastër dhe se nuk do të vonohej. “Ka qenë ora 14:00 e së shtunës kur im atë ka dalë nga shtëpia. I ka thënë mamasë së do të bënte një shëtitje poshtë pallatit dhe se do të kthehej, mirëpo nuk ka arritur që ta gjejë shtëpinë. Ai mban mend  vetëm të kaluarën, sepse është shkëputur nga realiteti. Në rini ka punuar në ndërtim dhe besoj se mund të ketë shkuar në ato vende që edhe ka punuar, por as atje nuk është gjetur. Jemi shumë të shqetësuar, sepse ai është i pavetëdijshëm”, shprehet Suela për gazetën “Shqip”. Ndër të tjera, Imeri thotë se babi i saj është larguar edhe herë të tjera nga shtëpia, por nuk është vonuar kurrë kaq gjatë. Ka qenë policia ajo që e ka gjetur të moshuarin dhe e ka dorëzuar në familje. Ditën që është larguar, ai ka pasur veshur një pulovër vishnje, xhaketë kafe jo e errët me kuadrate të zeza, pantallona gri dhe kapele republike gri”, shprehet vajza e tij, e cila kërkon ndihmën e qytetarëve, duke vënë në dispozicion edhe një numër kontakti. “Kushdo që e sheh këtë person në rrugë, është i lutur që të telefonojë në numrin 0696701164”, ka apeluar Suela Imeri.


S. Muça