Familjarët denoncojnë në polici largimin pa asnjë informacion të Fisnik Spahiut, që kreu 20 vite burg


Në takimin e fundit, familjarët nuk kanë vënë re asgjë anormale në sjelljen e fisnikut


Një 66-vjeçar është zhdukur në rrethana ende të paqarta, vetëm pak ditë pas daljes së tij nga burgu. Burimet bëjnë me dije se Fisnik Spahiu ka ndërprerë kontaktet me të afërmit, që prej së shtunës dhe asgjë nuk dihet për fatin e tij. Familjarët, pasi kanë vënë re se 66-vjeçari nuk është kthyer në banesë për disa ditë me radhë, janë detyruar t’i drejtohen Komisariatit Nr. 3, për të kërkuar ndihmën e tyre në nisjen e hetimeve. Mjaft të shqetësuar dhe të frikësuar, të afërmit kanë kërkuar me urgjencë gjetjen e të zhdukurit.


Në komisariat ata e kanë ndihmuar policinë me të gjitha të dhënat që disponojnë. Familjarët kanë treguar për jetën e 66-vjeçarit dhe, ndër të tjera, kanë përshkuar karakteristikat fizike të tij. Menjëherë pas marrjes së denoncimit në polici, uniformat blu kanë nisur kërkimet për gjetjen e Spahiut. Kontrollet janë shtrirë në të gjithë kryeqytetin, në spitalet dhe morgun e kryeqytetit. Nuk është gjetur ndonjë e dhënë për Fisnik Spahiun, çka do të thotë se familjarët kanë shpresa se ai mund të jetë gjallë. Gjithsesi kërkimet nga policia dhe të afërmit nuk janë ndërprerë për asnjë moment.


Mësohet se i zhdukuri ka qenë i dënuar më parë me 20 vjet heqje lirie, për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, dënim të cilin ai e ka shlyer. Pas daljes nga burgu, Spahiu i është kthyer normalitetit. Ai është strehuar në një banesë pranë rrugës “Mujo Ulqinaku” Tiranë dhe jetonte i vetëm. E motra e përshkruan Spahiun si një tip të mbyllur dhe po sipas saj, ishte shumë e vështirë që të kuptoje problemet që e shqetësonin. Edhe në takimin e fundit, ata nuk kanë vënë re asgjë anormale në sjelljen e tij, që do të bënte edhe lidhjen e arsyes së zhdukjes. Ata i tremben faktit se mos jeta e shkuar e Fisnik Spahiut, i cili ka plagosur një person para 20 vjetësh, ka ndikuar në zhdukjen e tij. Si pasojë e kësaj, ata kërkojnë me urgjencë gjetjen e 66-vjeçarit. Policia po heton edhe pistën e zhdukjes së Spahiut në lidhje me këtë çështje. Por nuk janë përjashtuar edhe pistat e tjera. S.Muça


Dënimi – I zhdukuri ka qenë i dënuar më parë me 20 vjet heqje lirie, për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, dënim të cilin ai e ka shlyer


Banesa – Pas daljes nga burgu, u strehua në një banesë, pranë rrugës “Mujo Ulqinaku” dhe jetonte i vetëm. E motra e përshkuan Spahiun si një tip të mbyllur


Dyshimet – Familjarët i tremben faktit se mos jeta e shkuar e Fisnik Spahiut, i cili ka plagosur një person para 20 vjetësh, ka ndikuar në zhdukjen e tij