Një celular i gjetur në një prej qelive të IEVP Fier është zhdukur gjatë veprimeve procedurale, duke sjellë një hetim të përbashkët mes Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Prokurorisë së Fierit.

Ngjarja është regjistruar më 24 qershor 2026. Gjatë një kontrolli në dhomën ku vuante dënimin shtetasi Klevis Caka, punonjësit e burgut gjetën një aparat të dyshuar celular. Sipas njoftimit zyrtar, Caka ka pranuar se telefoni ishte i tij. Por gjatë veprimeve të para procedurale, hetuesit kanë konstatuar se prova materiale e raportuar, pikërisht telefoni celular, nuk ndodhej më në vendin ku duhej të ishte. Pikërisht zhdukja e provës ka bërë që hetimi të zgjerohet, duke përfshirë edhe punonjës të IEVP Fier.

Në vijim të hetimeve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” për dy të paraburgosur, Klevis Caka dhe B.P. Ndërkohë, masa sigurie janë caktuar edhe ndaj katër punonjësve të IEVP Fier, me inicialet M.B., E.H., S.H. dhe J.M.

Për katër punonjësit është vendosur “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura rrethanat konkrete se si telefoni i sekuestruar është larguar nga ambientet e burgut. Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë.