Kanë kaluar 23 ditë që kur 24-vjeçari Lulëzim Osmani, banor i lagjes “1 Maji” i qytezës së Levanit të Rrethit të Fierit, nuk është kthyer në banesën e tij. Zhdukja e tij në rrethana të paqarta mbetet një mister për familjarët dhe të afërmit. Ata e kanë denoncuar zhdukjen e 24-vjeçarit Osmani pranë Komisariatit të Fierit, një ditë pas humbjes së kontakteve me të, por ende nuk është gjetur asnjë gjurmë. Ndërsa që prej asaj dite, ata enden dyerve të prokurorisë në pritje të sigurimit të ndihmës së organeve të drejtësisë për gjetjen e tij. Prindërit, babai Çerçiz dhe nëna Haxhire deklarojnë se Lulëzimi nuk kishte krijuar asnjëherë probleme me sjelljen e tij. Madje ata shtojnë se djali i tyre ishte njeri korrekt dhe punëtor. “Lulëzimi kryente çdo lloj pune krahu në qytetin e Fierit dhe njihej si pastrues i xhamave të lokaleve të ndryshme. Nuk dimë të ketë pasur asnjë konflikt, ai kishte vetëm miq”, thonë prindërit. Por, teksa nëna nuk ngre asnjë lloj dyshimi rreth zhdukjes së të birit, vëllai i tij, Kujtimi, dyshon se ai mund të jetë marrë peng. Ndonëse nuk jep asnjë arsye, Kujtimi kërkon që shteti të ndërhyjë. Ed. Ho.