TIRANË – Një biznesmen 43-vjeçar në Tiranë, babai i dy fëmijëve, rezulton i zhdukur prej gati dy javësh.

Mësohet se Rruzhdi Hoxha është zhdukur 13 ditë më parë dhe denoncimi është bërë nga vëllai i tij në komisariatin numër 5.

Personi i zhdukur rezulton të jetë pronari i një biznesi inertesh në dalje të Kamzës.

Mësohet se pas denoncimit, policia ka shoqëruar mikun e tij, i cili ka pasur dhe takimin e fundit me 43-vjeçarin.

Miku u tij është personi i dyshuar për ngjarjen, por nuk ka ende një urdhër ndalim për të.

Policia ka mundur të gjejë celularin e të zhdukurit, por jo Rruzhdi Hoxhën. Një grup i posaçëm hetimi po trajton rastin.

Telefonata e fundit

Hoxha ka qenë duke pirë kafe diku pranë autostradës Tiranë-Durrës pasi është telefonuar nga miku i tij me iniciale F.Rr. dhe kanë lëvizur me makinën e tij në drejtim të Zall Herrit.

Ndonëse fillimisht u regjistrua si largim nga shtëpia, policia po heton për një rrëmbim të mundshëm për shkak të borxheve pasi biznesi i tij është drejt falimentimit.

Hoxha ishte larguar dhe herë të tjera nga banesa, por ishte kthyer brenda 2-3 ditësh.