Autoritetet shqiptare janë përfshirë në një operacion të gjerë kërkimi për një pasagjer të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”.
Mësohet se kërkimet po zhvillohen në një segment të gjerë detar, nga Kepi i Stillos në jug deri në grykëderdhjen e Semanit në veri. Kërkimet po zhvillohen edhe me dronë dhe helikopter Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes së pasagjerit, teksa hetimet mbi rastin vijojnë.
Njoftimi i autoriteteve:
Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane po zhvillon një operacion të gjerë kërkimi për personin e raportuar të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”.
Mësohet se gjatë gjithë së dielës është kërkuar me intensitet nga Kepi i Stillos në jug, deri në grykëderdhjen e Semanit në veri.
Në operacionin e kërkim shpëtimit janë përdorur 1 Dron TB2 i Forcave Ajrore, 1 Helikopter UH-60 i FA (me 3 efektivë), 1 anije patrulluese P05 e Forcës Detare (me 4 efektivë) dhe 1 motor uji (me 2 efektivë). Po ashtu për kërkimin e shtetasit ende të paidentifikuar kanë dalë në det të hapur 4 mjete patrullimi të Policisë Kufitare me gjithsej 13 efektivë.
Operacioni është zhvilluar në koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke ndjekur çdo protokoll të kërkim-shpëtimit në det, por pa rezultat. Mësohet gjithashtu se operacioni do të vijohet edhe në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve dhe kushteve detare.


