Pas një viti pezullim, në Gjykatën e Posaçme ka nisur gjykimi në mungesë për Altin Hajrin, pronarin e “Golden Resort”, i përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

Këtë të mërkurë, SPAK lexoi kërkesën për gjykim për Hajrin, ku ndaj tij i janë ngarkuar veprat penale të rrëmbimit dhe mbajtjes peng me pasojë vdekjen. Hajri ndodhet në arrati, ndërkohë që përfaqësohet nga avokati Arbër Hoxha. Ky i fundit ka pretenduar se klienti i tij është i pafajshëm dhe, sipas tij, nuk ka marrë pjesë as në rrëmbim dhe as në zhdukjen e trupit të Prengës.

Po ashtu, mbrojtja ka kërkuar që të merret parasysh edhe vendimi i Gjykatës së Lartë, që prishi dënimin me burg përjetë për Hajrin. Gjykata pranoi që pjesë e procesit të bëhen edhe dëshmitarë, të cilët kryesisht janë lidhje të afërta të Altin Hajrit.

Ky i fundit ka edhe një masë tjetër sigurie për dosjen e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Gjykata i ka caktuar në mungesë masën “arrest me burg”, pasi dyshohet se bisedonte në aplikacionin “Sky ECC” për favorizime në procese gjyqësore apo dekonspirimin e operacioneve policore.