Gjykata e Durrësit po shqyrton këtë të shtunë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre ish-zyrtareve të filialit të Postës Shqiptare në Durrës, të arrestuara pas dyshimeve për përvetësimin e një shume prej 69 milionë lekësh të rinj, fonde të destinuara për pensionet dhe ndihmat sociale.

Në pranga kanë përfunduar ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, e cila u shkarkua nga detyra pak ditë më parë, shefja e financës Valbona Doni dhe arkëtarja Paola Dana.

Arrestimi i tyre erdhi pas një denoncimi dhe hetimeve të zhvilluara nga organet ligjzbatuese, të cilat dyshojnë se fondet nuk janë arkëtuar në llogaritë e degëve të Postës Shqiptare në Shijak dhe Krujë, ku ishin planifikuar të shpërndaheshin për përfituesit.

Sipas Prokurorisë, tre të dyshuarat akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet paraprake rezulton se gjatë muajve prill dhe maj 2026, ato dyshohet se kanë përvetësuar rreth 69 milionë lekë të rinj, shumë që ishte parashikuar për pagesën e pensioneve dhe ndihmës ekonomike për qytetarët e zonave të Shijakut dhe Krujës.

Çështja po hetohet nga prokurori Gazmend Frëngu, ndërsa seanca për vlerësimin e masës së sigurisë po drejtohet nga gjyqtari Xhevdet Lika.