Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka deklaruar se ende paraqiten problematika në disa zona, si pasojë e kushteve të vështira atmosferike që kanë përfshirë vendin. Gjatë një deklarate për gazetarët pas mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile, Vengu tha se kërkimet për 76-vjeçaren e humbur në Korçë po vijojnë.

Ministri u shpreh se Gjirokastra, Delvina dhe Saranda kanë pasur reshje masive në 48 orët e fundit. Ai tha se po bëhen rehabilitime në nivelin e Qukës në mënyrë që të kufizohen pasojat e përmbytjes masive të orëve të para të mëngjesit. Në fund ministri Vengu, tha se ura e Glinës dhe ura e Isues midis Libohovë dhe Dropullit janë dëmtuar, ndërsa shtoi se banorët e zonës po marrin mbështetje ushqimore dhe bazë materiale e financiare.

“Vijojnë kërkimet për 76-vjeçaren në Korçë, bëhet fjalë për një person në moshë me problematika të shëndetit mendor, nuk dihen arsyet e zhdukjes së saj. Gjirokastra, Delvina dhe Saranda ka njohur reshje masive, në 48 orët e fundit kanë pasur reshjet më intensive të këtyre ditëve në rang vendi.

Rrëshqitje dherash në rrugët dytësore dhe në fshatra, rrezikohet për rrëshqitje dhe në vijim. Reparti i Gërhotit po funksionon si bazë mbështetëse për Emergjencat Civile për bashkitë e qarkut Gjirokastër, Delvinës e Sarandës. Po bëhen rehabilitime në nivelin e Qukës në mënyrë që të kufizohen pasojat e përmbytjes masive të orëve të para të mëngjesit. Po verifikojmë edhe njëherë elementet e urave.

Po mundohemi të gjejmë rrugë alternative deri sa të kemi rehabilitim të plotë të infrastrukturës. Kemi informuar popullin për motin e keq dhe identifikuam elementët e basenit të Vjosës për problematikat që ndodhën. Ura e Glinës dhe ura e Isues midis Libohovë dhe Dropullit janë dëmtuar. Për Glinën është gjetur aksesi alternativ nga mbrapa nga Nepravishta. Për pjesën e Isues duhet të bëjmë një investim rehabilitues është një dëmtim domethënës. Kemi marrë masat në komunitet për mbështetje ushqimore apo bazë materiale e financiare për banorët e zonës”-, tha Vengu.