
Autoritetet italiane akuzojnë palën shqiptare për vonesa në dërgimin e mostrave të ADN-së së biznesmenit Davide Pecorrelli, për t’i krahasuar ato me të vëllait të tij. Mediat e vendit fqinj theksojnë se janë tre elementë kyç që karakterizojnë çështjen.
Së pari partnerja e tij shqiptare me të cilën Davide kishte një djalë, ia ka besuar çështjen avokatit Giancarlo Viti, i cili përfaqëson atë dhe të miturin si palë të prekura në këtë situatë.
Elementi i dytë i referohet ADN-së dhe mosrespektimit të afateve në lidhje me dërgimin e tyre në Itali. Bëhet e ditur se mostrat e ADN-së së Pecorellit nuk kanë arritur ende për të bërë krahasimin me ADN-në e vëllait të tij Antonello. Prandaj, sipas medias italiane informacionet nuk vijnë në kohën e duhur nga policia shqiptare.
Ndërkohë që ditët e fundit është bërë publike dëshmia e një miku të tij, i cili tregonte se Pecorelli ishte entuziast për biznesin e tij në Shqipëri. Megjithatë dje është bërë i ditur se bashkëpunëtorët e tij të mundshëm shqiptar, e kishin vizituar atë në Itali
“Unë u takova me Daviden në fund të vitit, duke folur për punë dhe ai konfirmoi interesin e tij për të gjetur partnerë në Shqipëri në mënyrë që të prodhonte mallra me markën ‘Hairdressers Milan’. Por jo vetëm kaq, sepse midis tetorit dhe nëntorit, nga sa kam mundur të kuptoj, këta ‘partnerë’ të mundshëm kishin ardhur në Itali dhe në fakt ai më kishte thënë një mbrëmje se kishte një takim të rëndësishëm … “.
Mediat italiane në një situatë të tillë shtojnë pyetjen se çfarë mund të kishte ndodhur me Daviden në veri të Shqipërisë?
Askush nuk beson në tezën e vetëvrasjes, ka shumë pak mundësi që të ketë ndodhur një aksident me makinën që do të kishte marrë flakë vetvetiu. Kockat e gjetura janë 5% e trupit. Nëse ADN konfirmon se ato janë të tijat, atëherë hetimi mund të zhvendoset në gjurmët e vrasjes.