Gjykata Penale e Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Enea Zyferin, 25 vjeç, kamarier në një lokal në pronësi të Armand Shakajt, i cili është shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për rrëmbimin e Eglant Koçit, 34 vjeç.
Zyferi u arrestua nga policia e Tiranës nën dyshimin për “përkrahje të autorit të krimit”. Ky i fundit në sallën e gjyqit këtë të mërkurë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.
Prokuroria e çështjes ka kërkuar që i riu të mbahet në qeli deri në përfundimin e plotë të hetimeve, duke argumentuar se është e nevojshme zbardhja e të gjithë dinamikës së ngjarjes dhe rolit të secilit person të përfshirë.
Sipas hetimeve paraprake, ekzistojnë dyshime se Eglant Koçi është rrëmbyer dhe mbajtur peng, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë vrarë dhe trupi i tij të jetë zhdukur.
Grupi hetimor po vijon punën për të mbledhur prova materiale dhe rrethanore, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të fatit të 34-vjeçarit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në ngjarje.
Autoritetet theksojnë se hetimet janë në fazë intensive dhe dinamika e plotë e rastit ende nuk është sqaruar përfundimisht.
