Numri dy i qeverisë shqiptare, Erjon Braçe ka reaguar në jubileun e krimit makabër të zhdukjes së Remzi Hoxhës, duke bërë edhe një ‘mea culpa’ që ai dhe kolegët e tij nuk kanë ndikuar që të bëhej drejtësi për çështjen e rrëmbimit të Remzi Hoxhës.


Sipas Braçes, askush nuk ka bërë sa Xhevat Hana, prokurori i ndjerë që vdiq në rrethana misterioze, i cili ishte i vetmi që zbardhi këtë krim. Sipas Braçes vrasësit janë të lirë dhe ata janë Ilir Kumbaro dhe urdhërdhënësi është Sali Berisha.


“DREJTËSIA ËSHTË DORËZUAR! Ka frikë! Pas vdekjes se prokurorit kurajoz  Xhevat Hana, askush nuk guxon të prekë më krimin mbi Remzi Hoxhën. Drejtësi pa kurajo nuk ka!”, shkruan Braçe


Postimi i Braçes


Rrëmbimi, torturimi, vrasja, zhdukja e Remzi Hoxhës është krimi më i madh shtetëror i regjimit të Sali Berishës!


Nuk ka ndodhur me kënd ky zinxhir hapash kriminale; Ai regjim vrau nga frika 4 qytetare paqësore në Bulevard, por trupat e tyre nuk u zhduken; Ai regjim vrau për korrupsion 26 qytetarë, punëtorë në Gërdec, por trupat e tyre nuk u zhdukën!


Remzi Hoxha ishte një luftëtar në Tiranë; Luftëtar për lirinë e shqiptarëve të Kosovës! Kjo ishte arsyeja që Sali Berisha, Bashkim Gazidede urdhëruan dhe ekzekutuan rrëmbimin, torturimin, vrasjen e zhdukjen e Remzi Hoxhës!


Krimi mbi REMZI HOXHËN është dështimi më i madh i DREJTËSISË SHQIPTARE;


Të vjetrës të kontrolluar nga Sali Berisha e pushteti i tij, të resë që nuk po belbëzon akoma.


DREJTËSIA ËSHTË DORËZUAR! Ka frikë! Pas vdekjes se prokurorit kurajoz  Xhevat Hana, askush nuk guxon të prekë më krimin mbi Remzi Hoxhën. Drejtësi pa kurajo nuk ka!


Mungesa e drejtësisë për krimin mbi Remzi Hoxhën është edhe dështimi im,si qytetar, si gazetar, si politikan, si deputet, si qeveritar; As unë e askush tjetër-veç Xhevat Hanës, nuk bëra e bëmë gjithçka për Drejtësinë ndaj këtij krimi barbar!


Akti i sotëm i familjes së Remzi Hoxhës, Adrianit, nënës, dy motrave e dy vëllezërve të tij-ndalja e kërkimit për eshtrat e vëllait, burrit, babait të tyre,


është një akt i rëndë akuzë mbi shtetin shqiptar, mbi secilin prej nesh në pushtet e me pushtet, në polici, shërbime, në prokurorinë speciale kundër krimit dhe gjykatën po të tillë;


Duhet ta pranojmë kaq të rëndë, kokulur e të përulur!


Por njëherësh edhe duke u shkundur; Nga banda e 25 viteve më parë, Sali Berisha e vrasësi i tij Ilir Kumbaro janë aktiv; Duhet t’i shkojnë DREJTËSISË me çdo kusht!


Bashkë me ta, Drejtësisë duhet t’i dorëzohet edhe secili, kudo, që ndihmoi bandën e rrëmbyesve, torturuesve, vrasësve dhe zhdukësve  të Remzi Hoxhës t’i shpëtojë DREJTËSISË!


Cilido në politike, Kuvend, polici, prokurori, gjykatë, Qeveri-Ministrinë e Drejtësisë.


Unë besoj me forcë se ka ende kohë për DREJTËSI, nga Drejtësia e Re natyrisht!


Koha ikën por krim pa ndëshkim nuk duhet të ketë! Ndryshe, dështimi do na ndjekë pas çdo ditë të jetës!/GazetaShqip