Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me zhdukjen e Eglant Koçit, 34 vjeç, i cili është parë për herë të fundit më 4 qershor në kryeqytet.
Sipas autoriteteve, shtetasi Armand Shaka, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin. Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe një 25-vjeçar, i dyshuar për përkrahje të autorit.
Nga veprimet hetimore të deritanishme, policia ka bërë të mundur gjetjen e motomjetit të 34-vjeçarit dhe identifikimin e një ambienti ku ai është futur më herët. Sipas hetimeve, nga ky ambient më pas dyshohet se autori e ka nxjerrë dhe mund ta ketë marrë me automjet.
Policia bën me dije se kërkimet për lokalizimin e 34-vjeçarit dhe kapjen e autorit të dyshuar vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI:
Shtetasi me iniciale A.Sh., është shpallur në kërkim nga policia pasi dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin. Ndërsa një 25-vjeçar është arrestuar për përkrahje të autorit të dyshuar.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.
Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.
Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.
Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K.
Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit.
Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve.
