SHKB-ja
Verifikohet Ledio Ferzaj. Arma i ishte sekuestruar një qytetari nga Komisariati Nr.4
Akuzohet se ka zhdukur pistoletën e një personi të ndaluar për armëmbajtje pa leje, përjashtohet nga radhët e policisë efektivi i krimeve, Ledjo Ferzaj. Burimet e policisë thonë se efektivi i Komisariatit Nr.4 është përjashtuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm më 25 prill 2014, për zhdukjen e provës materiale, të llojit pistoletë. Efektivi ka qenë punonjës te Komisariati Nr.2, dhe më pas kishte kaluar te Komisariati Nr.4. Disa javë më parë, Policia e Tiranës, në sajë të një operacioni, kishte vënë në pranga një qytetar për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Të afërmit e të arrestuarit dyshohet se kanë lidhur kontaktet me Ferzajn, për zhdukjen e armës. Një akt i tillë do ta nxirrte të pafajshëm të arrestuarin. Mungesa e provës materiale do ta vinte organin e akuzës me shpatulla pas murit. Burimet policore nuk bëjnë me dije emrin e personit që është arrestuar për çështjen e lartpërmendur. Zhdukja e armës ka alarmuar uniformat blu dhe si pasojë e kësaj nisën hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe personin përgjegjës. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm grumbulloi disa informacione dhe në fund konkludoi se arma dyshohet të jetë fshehur nga oficeri i lartpërmendur. Pas kësaj, janë marrë masat për përjashtimin e tij nga policia, për shpërdorimin e detyrës. Ndërkaq, hetimet janë duke vijuar, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Zyrtarisht nuk konfirmohet nëse ndaj oficerit ka nisur procedim penal apo jo. Nga të dhënat paraprake dyshohet se ai ka kryer edhe shkelje të tjera, gjatë kohës që ka qenë duke punuar në Komisariatin Nr.2. Burimet dyshojnë se Ferzaj ka ndërhyrë për lirimin e një vrasësi serial, Dritan Demiraj, i arrestuar në Itali për vrasje në seri. Në korrik 2013, personi i lartpërmendur është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit Nr.2, pasi ka tentuar që të vrasë kushëririn e tij. Pavarësisht akuzës, ai është liruar brenda disa orëve, pasi ka të dhëna se vrasësi serial kishte lidhje miqësie me oficerin e përjashtuar, pasi kanë qenë pjesë e të njëjtit ekip boksi në Tiranë. Për hir të miqësisë së vjetër, dyshohet se Ferzaj ka ndërhyrë për lirimin e Dritan Demirajt brenda 16 orëve. Pas kësaj, në dhjetor të po atij viti, Demiraj ka kryer një tjetër tentativë, për vrasjen e kushëririt, ndërsa në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit vret bashkëjetuesen italiane Lidia Nusdorfi dhe të dashurin e saj italian, Silvio Mannina, në Itali, për motive xhelozie. Vrasësi është arrestuar disa ditë më parë nga autoritetet italiane.