Ndotja akustike, procedohen në gjendje të lirë katër shtetas. Luanin muzikë pa leje mjedisore
Vali Qyrfyçi
Vijojnë kontrollet në bregdet ndaj subjekteve që prodhojnë muzikë në volume të larta. Mjaftoi ashpërsia e Kryeministrit Sali Berisha që strukturat lokale të vihen realisht në lëvizje për të zbatuar ligjin dhe siguruar një sezon turistik larg zallamahisë së ditë-netëve plot zhurmë të shkaktuar nga shfaqjet gjoja argëtuese të mjaft subjekteve private të ngritura përgjatë plazheve të Gjirit të Durrësit.
Gjatë dy ditëve të fundit, grupi Task-Forcë ka vijuar kontrollet në drejtim të respektimit të normave të vendosura për ndotjen akustike në zonat e populluara nga pushuesit, në territorin që është nën administrimin e komisariateve policore të Durrësit dhe Shijakut. Vetëm në territorin e Shijakut përgjatë dy netëve të fundit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës deklaron se është ushtruar kontroll në 16 subjekte që ushtronin muzikë. Po nga këto kontrolle ka rezultuar se shumica e subjekteve kanë nisur të respektojnë normat e përcaktuara në drejtim të orareve të muzikës sipas ditëve të javës, intensitetit të zhurmës dhe pajisjes me dokumentacionin e nevojshëm. Ky konstatim i Task-Forcës dëshmon qartazi se qytetarët, subjektet e njohin forcën e ligjit dhe dinë ta respektojnë atë, po jo kur kontrollet bëhen sa për të thënë dhe sa për të vjelë “bakshishe” për shkeljen e lejuar.
Gjithsesi, edhe gjatë këtyre ditëve, krahas rasteve të respektimit të normave të vendosura, në vijim të këtyre kontrolleve shërbimet konstatuan e proceduan penalisht në gjendje të lirë për prishje të qetësisë publike edhe katër persona, të katërt luanin muzikë pa qenë të pajisur me leje mjedisore. Të proceduarit penalisht janë tre shtetas nga Durrësi dhe një nga Tirana të cilët në pistën “Kosova”, hotel “Elba” dhe lokalin “Prishtina” në plazhin e Durrësit janë kapur në flagrancë duke prodhuar muzikë live pa qenë të pajisur me lejen e Mjedisit. Të proceduarit janë nga mosha 31 deri në 53 vjeç dhe në të gjitha rastet u krye sekuestrimi i veglave muzikore dhe materialet procedurale për veprën penale “Prishje e qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal iu përcollën Prokurorisë së Durrësit.
Sakaq, kontrollet e klubeve dhe lokaleve të natës do të vijojnë dhe aksioni i parë pas ndryshimit ligjor dhe hyrjes në fuqi të aktit normativ do të organizohet sot në të gjithë vendin.
Ndryshe nga herët e kaluara aksionin dhe inspektimet në vendet dhe zonat më problematike do të udhëhiqen nga prefekti i qarkut, me ndihmën e inspektoratit mjedisor, Institutit të Shëndetit Publik dhe policisë bashkiake.
Orari – I lejuar i muzikës së lartë sipas ligjit të ndotjes akustike është deri në orën 23:30 në ditë javë dhe 00:00 në fundjavë
Durrës – Task-Forca konstatoi se proceduan penalisht në gjendje të lirë për prishje të qetësisë publike edhe katër persona
Shijak – Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës deklaron se është ushtruar kontroll në 16 subjekte që kishin ndezur muzikën dhe ofrojnë argëtim
Tavo kopjon Kryeministrin
Riaktivizohet Task-Forca e duhanit dhe alkoolit
Pas Task-Forcës së zhurmave në “rehabilitim” përfshihet edhe grupi i inspektimeve për zbatimin e ligjit të duhanit dhe alkoolit. Dje, ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka deklaruar njësoj si Kryeministri dy javë më parë, se në rast konstatimi të moszbatimit të ligjit nga ana e inspektorëve do të merren masa për punonjësit e shëndetit publik deri në largim nga puna.
Tavo ka paralajmëruar ndëshkim për të gjithë ata që jo vetëm nuk zbatojnë këto dy ligje, por edhe për punonjësit e shëndetësisë që marrin ryshfet, duke penguar kështu zbatimin e këtyre ligjeve.
“Do të ketë masa të rrepta, po sidomos për ata që abuzojnë që e përdorin mandatin e Task-Force për të marrë ryshfete poshtë e lartë nga pronarët e lokaleve”, tha ministri.
Një prej propozimeve për ndryshimin e ligjit kundër produkteve të duhanit është gjobitja jo vetëm e pronarit të lokalit në shumën 50 mijë lekë, por dhe e klientit. Gjobat e duhanit janë kthyer në tituj ekzekutivë dhe vilen nga shërbimi përmbarimor së bashku me kamatëvonesat. Deklaratat e kreut të shëndetësisë janë bërë një ditë pas mbledhjes së qeverisë, ku Kryeministri Berisha deklaroi se duhet të nisin kontrollet dhe zbatimi i ligjit të duhanit.
Sakaq, të parët që do të përfshihen në inspektime janë institucionet shëndetësore, institucionet publike e më pas ato private.