Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me masakrën e ndodhur pasditen e djeshme në Shkodër, ku janë regjistruar 3 viktima.
Mësohet se grupi hetimor është rikthyer sërish në vendngjarje pasi janë gjetur të tjera gëzhoja. Dyshohet së është qëlluar mbi 50 herë drejt automjetit të Hamza Licit, i cili humbi jetën së bashku me Arlind Bushatin, i cili ishte në makinë me të.
Në këtë atentat dyshohet se kanë marrë pjesë 4 autorë, të cilët ndodheshin në makinën ‘Range Rover’, që hapi zjarr drejt makinës së viktimave. Mësohet se dy prej tyre ishin qitës, njëri drejtues i mjetit dhe një tjetër dyshohet se i ndihmoi qitësit të largohen pas djegies së makinës.
Viktimë e këtij atentati mbeti Hamza Lici, vëllai i vogël i të fortit të Shkodrës, Ibrahim Lici, si dhe Flutura Basha, një qytetare e pafajshme që po udhëtonte me bashkëshortin e saj me motor në momentin e ngjarjes. Ajo dhe bashkëshorti i saj u përplasën nga makina e shënjestrës pas atentatit.
Disa orë më vonë, në spital humbi jetën edhe Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për kryebashkiak të Shkodrës. Bashkëshorti i Fluturës, Bashkim Basha, ndodhet aktualisht në spital në gjendje të rëndë.