Shkodër


Autori i plagosjes me armë zjarri u godit me hekur në kokë


Debati për një skedinë sportive ka çuar në plagosjen e dy personave të rinj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Hot i Ri, 5 km larg qytetit të Shkodrës. I plagosuri me armë zjarri është Agustin Nikaj, 28 vjeç, kurse autori i kësaj ngjarjeje, sipas policisë lokale, është bashkëmoshatari i tij Albert Shkëmbi, 30 vjeç, i cili edhe ky ka marrë plagë, por jo me armë zjarri. Të dy personat janë nën mbikëqyrjen e policisë dhe një patrullë e përforcuar me trupa speciale është vendosur në hyrje të spitalit. Sipas burimeve të policisë, dy të rinjtë ishin në një lokal bastesh dhe sipas dëshmitarëve, i pari ishte Agustin Nikaj, ai që goditi me hekur në kokë Albert Shkëmbin. Më pas, ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë zjarri, duke e lënë të plagosur bashkëmoshatarin e tij. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 17:30 në ambientet e brendshme të një lokali. Konflikti ka nisur mes Shkëmbit dhe Nikajt, banorë të zonës, pas një debati që ka pasur si motiv një skedinë sporti, me vlerë një mijë lekë. Pas sherrit me mjete të forta, Shkëmbi ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë një armë zjarri, me të cilën është kthyer në vendin e ngjarjes. Ai ka qëlluar disa herë në drejtim të 28-vjeçarit Nikaj, duke e plagosur rëndë, me tre plumba në trup. I plagosuri është dërguar menjëherë në spitalin e Shkodrës, ku gjendja e tij shëndetësore paraqitej tepër e rëndë. Për shkak të gjendjes kritike, ai është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ndërkohë, autori i plagosjes me armë zjarri, i cili ka marrë plagë në kokë dhe ndodhet në spitalin e Shkodrës, është arrestuar nga policia dhe po mbahet nën mbikëqyrjen e policisë. Në lidhje me ngjarjen, policia ka shoqëruar disa persona që kanë qenë të pranishëm në lokal në momentin e ngjarjes, me qëllim për të sqaruar dhe zbardhur plotësisht krimin e rëndë. A. Hoti